Monday, May 16, 2016

Vllaznia, gati të nisin “skarcimet”

Pasi kanë siguruar mbijetesën 90 minu ta para mbylljes së krejt kampionatit, në Shkodër menjëherë kanë filluar të mendojnë për sezonin e ri. Plani është i qartë: do të ndërtohet një ekip dinjitoz, që kurrsesi nuk duhet ta diskutojë më rënien. Të paktën kjo ka qenë edhe kërkesa e vetme e Armando Cungut, i cili publikisht ka pranuar se rinovimi i tij do të vijë vetëm nëse do të ketë pretendime më madhore. Drejtuesit duket se janë gati që t’ia plotësojnë këtë kusht trajnerit, ndonëse ky i fundit, pas ndeshjes me Tiranën, deklaroi se janë disi vonë. Me “blindimin” e pankinës nuk do të mungojnë “skarcimet” apo rishikimet e kontratave. I pari që mund të marrë “valixhet” është Andrija Dragojeviç. Prej tri ndeshjesh, ka humbur vendin e titullarit, por njëherësh edhe besimin e stafit teknik. Kjo pritet që të sjellë divorcin mes klubit dhe malazezit. Edhe pse e nisi mirë me Vllazninë duke qenë në krye të katërkëndorit për javë të tëra, ai nuk do të jetë në planet e Cungut për sezonin e ri. Me sa duket, largimet e para do të nisin pikërisht nga porta. Paraqitjet e tij kanë lënë shumë për të dëshiruar dhe, për më tepër, portieri asnjëherë nuk ka arritur që ta kënaqë tifozërinë shkodrane. Pezull është edhe 20-vjeçari Ronaldo Rudoviç. Kontrata e malazezit pritet që të rishikohet. Ai është aktivizuar shumë pak këtë sezon, por drejtuesit janë shprehur me nota pozitive për paraqitjet e këtij lojtari. Gjithsesi, fjala e fundit do të jepet nga Cungu. Një tjetër futbollist me përvojë që ka pozitat e lëkundura është Jetmir Sefa. Mesfushori tiranas nuk ka gjetur fort hapësira, madje edhe në kryeqytet Cungu e futi vetëm në minutën e 80-të. Megjithatë, e sigurt është që me mbylljen e këtij sezoni ai do të ulet për të folur me drejtuesit, ashtu si dhe Polizoi Arbri. Ky i fundit, ndonëse e mbylli sezonin i dëmtuar, është në listën e futbollistëve që pritet të qëndrojnë. Në listën e dilemave është edhe mbrojtësi me eksperiencë, Endri Vrapi, dhe malazezi Stefan Cicmil. Megjithatë, referuar asaj që tha vetë Cungu në konferencën për mediat pas ndeshjes, largimet do të bëhen duke u bazuar edhe tek afrimet. Pra, nëse do të ketë prurje më cilësore, atëherë shumë prej atyre që janë pjesë e organikës do t’i japin “lamtumirën” klubit.

No comments:

Post a Comment